Gjithandej nëpër internet, si në rrjetet sociale, forumet e ndryshme, por edhe në disa gazeta elektronike, shihet se nuk po respektohen rregullat e shkrimit të gjuhës shqipe. Si rezultat i mosnjohjes së mirëfilltë të rregullave drejtshkrimore, por dhe atyre gramatikore, ky fenomeni i bastardimit të gjuhës sonë ka kaluar në një gjendje alarmante, shkruan Linguistet.com
Nga ana tjetër profesionalizmi i dobët dhe mosangazhimii i njerëzve kompetent, publicistika elektronike është në gjendje të mjerueshme. Nga ana tjetër gjendja në rrjetet sociale dhe forumet e ndryshme është edhe më e tmerrshme.
Për ta sensibilizuar sadopak opinionin, faqja Linguistet, ka përgatitur një seri shkrimesh të titulluara me emrin “Gjuha Shqipe” të cilat do të botohen një herë në javë.
Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit.
Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare e kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.
Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Thelbi i parimit fonetik në drejtshkrimin e shqipes, që mbështetet në një sistem grafik ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkronjës dhe tingullit-fonemë, është aspekti fonologjik, domethënë përdorimi social i tingujve të gjuhës në procesin e marrëdhënieve midis njerëzve.
Parimi fonetik synon vendosjen e një lidhjeje sa më të ngushtë midis trajtës së shkruar dhe trajtës së folur të gjuhës letrare. Prandaj, kur në shqiptimin letrar ka variante të lejuara nga norma e sotme, drejtshkrimi mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të shqipes letrare.
Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Parimi morfologjik zbatohet kryesisht në ato raste, kur zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike e fjalëformuese të fjalëve; ai ndihmon kështu për ta ruajtur sa më të qartë në shkrim këtë strukturë, si edhe njësinë e trajtave.
Duke pasur si bazë analogjitë morfologjike, parimi morfologjik lejon rrafshimin e thjeshtimin sa më të madh të rregullave drejtshkrimore të shqipes dhe ndihmon që këto rregulla të pasqyrojnë në mënyrë sa më organike zhvillimin e bashkëlidhur të strukturës fonetike, morfologjike e fjalëformuese të gjuhës sonë letrare.
Gërshetimi i parimit fonetik me parimin morfologjik në drejtshkrimin e shqipes plotësohet edhe nga zbatimi i disa parimeve të tjera, siç janë: parimi leksikor-kuptimor, ai historik-tradicional etj. Fushat e zbatimit të këtyre parimeve janë më të ngushta dhe përfshijnë anë të veçanta të drejtshkrimit.
Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare.
Vazhdon…
BURIME:
- Akademia e shkencave, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Tiranë, 1972
- Akademia e shkencave, Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë, 2002
- Akademia e shkencave, Gramatika e gjuhës shqipe I, Tiranë, 2002
- DEMIRAJ, Shaban, Gramatika e gjuhës shqipe, Tiranë, 1962
- DEMIRAJ, Shaban, Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe II, Tiranë, 1961
- DEMIRAJ, Shaban, Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes standarde: Studime filologjike, Tiranë, 2002
- HAMITI, Asllan, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup, 2005
- SPAHIU, Agim, Gabimet më të shpeshta gjuhësore në shtypin tonë, Prishtinë, 2007
- SHKURTAJ, Gjovalin, Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi në mediat e sotme të shkruara dhe të folura: Gjuha jonë, Tiranë, 2000
- THOMAI, Jani, Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2011